MUSA MUSAI PËR LOGOS-A: E PAKUPTUESHME TË NJOLLOSET NJË ADRESË K

Ndër akademikët e rradhës të cilët e kanë shfaqur mbështetjen e tyre për shtëpinë botuese Logos-A, është edhe profesori universitar, Musa Musai. Sipas tij është e pakuptueshme që të njolloset një adresë kaq e fuqishme e fjalës dhe librit shqip.

“Ligjet vdesin e librat kurrë”(Bulëer Lytton). “Sikur t’ishte e mundshme në çdo pëllëmbë të tokës do kisha mbjellur libra sikur që mbillet gruri”(Horace). Duke u nisur nga dy thëniet e lartëshënuara do doja të theksoja se shtëpia botuese Logos-A, është adresa më e denjë e kultivimit të gjuhës shqipe gati tri dekada ndër shqiptarët. Andaj llogaritet shtylla më e rëndësishme e kultivimit kulturor e arsimor, posaçërisht për ne shqiptarët e Maqedonisë. Ngase çdo një lexuesi ia ka sjell autorët dhe mendimtarët më eminent, botimet më aktuale ka arritur që t’ia sjell pranë lexuesit shqiptarë.

Secili është i vetëdijshëm se sa e vështirë është të ngritësh një qendër sikur që është Logos-A, që të ketë veprimtari të pashkëputur dekada të tëra, në ekspozimin e autorëve, njerëzve të penës, fundja të fjalës shqipe, duke pasur për synim pasurimin e thesarit tonë kulturor dhe identitar.

Rëndësia e kësaj shtëpie të librit në gjuhën shqipe edhe më tepër del në pah kur në pyetje janë botimet me përmbajtje fetare. Gjithë bashkëkohanikët e mi e dinë mirë se çka do të thoshte vitet e 80, kur tekstet me përmbajtje fetare të shkruar me shkronja shqipe gati se ishin inekszistentë. Ne në atë kohë kemi mësuar me disa botime në gjuhën boshnjake ose eventualisht ndonjë ilmihal i përkthyer në gjuhën shqipe. Logos-A shpraztirën njëshekullore në raport me botimet në gjuhët tjera arriti që ta mbyll falë punës dhe angazhimit të gjithë njerëzve që në vetëdijet e tyre e kishin të gdhendur aksiomën e lënies së gjurmëve për brezat që vijnë.

Për mua është i papranueshëm çdo një veprim, akt tendencioz i cili do kishte tentuar të nëpërkëmbë punën, qasjen, kontributin e një vatre të kulturës shqiptare dhe thesarit fetar siç është shtëpia botuese Logos-A.
Është i pakuptueshëm dhe në dëm të të gjithë neve tentativa për të njollos një adresë kaq të fuqishme të fjalës dhe librit shqip”, kështu u shpreh në një prononcim për portalin Almakos, profesori universitar, Musa Musai.