Hfz. Ataullah Aliu – një jetë kushtuar Kur’anit
Ndërroi jetë përkthyesi i librit të parë të botuar në SHB “Logos-A”
“O ti
shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!
Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” [“Fexhr”, 27-30]
Dje, në moshën 63-vjeçare, pas një sulmi në zemër, ndërroi jetë Hfz. Ataullah Aliu, njëri ndër themeluesit e SHB “Logos-A” dhe bashkëpunëtor i vazhdueshëm i saj.
Në kohën e përthyerjes historike të viteve të ’90-ta, bashkë më disa shokë të tjerë, ai do të gjendet në rolin e themeluesit të SHB “Logos-A”, madje si përkthyes i librit të parë të botuar aty me titullin “Si të bëhesh mysliman”.
Ataullah Aliu është lindur në f. Nikushtak të Kumanovës më 28.05.1957. Që nga mosha e rinisë është hafiz i Kur’anit. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa të mesmen e ka mbaruar në medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Studimet i ka vazhduar në Fakultetin e Filologjisë – dega Orientalistikë po ashtu në Prishtinë. Po aty është diplomuar edhe në Fakultetin e Studimeve Islame. Pas kësaj është regjistruar në studimet pasuniversitare në Universitetin Ndërkombëtar të Novi Pazarit në Fakultetin e Studimeve Humanistike, ku më 2011 e ka marrë titullin magjistër, ndërsa po në këtë universitet më 2013 e ka mbrojtur disertacionin e doktoratës me titull “Koncepti i Kur’anit për nocionin fitne dhe interpretimet e mufessirëve”, duke marrë titullin “doktor i shkencave humane”. Përveç këtyre përpjekjeve shkencore në fushën e tefsirit të Kur’anit, prof. Ataullah Aliu e ka pasur këtë më shumë vokacion jetësor, ngase jeta e tij gjithnjë ka qenë e lidhur për Kur’anin, qoftë si tefsir, si hifz ose si organizim i jetës dhe familjes mbi baza të parimeve kur’anore.
Kështu, duke qenë pjesë e një familjeje hafizash dhe dijetarësh të teologjisë islame, Ataullah Aliu që nga mosha e rinisë e ka mësuar përmendsh Kuranin para babait të tij, duke dalë “hafiz i Kur’anit”, ndërsa gjatë viteve të rinisë ka qenë edhe talebe i medresesë së xhamisë “Allaxha” të dijetarit Hfz. Idriz ef. Idrizi.
Në vitet 1992-1997 ka shërbyer si imam në Zvicër, ndërsa gjatë viteve 1998-2005 ka shërbyer në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë, duke ushtruar detyrën e Sekretarit gjeneral të Shoqatës “Ilmije”. Nga viti 2005 është kthyer përsëri në Logos-A, duke shërbyer si redaktor dhe si bashkëpunëtor për librat e teologjisë islame.
Në vitin 2012 është angazhuar si profesor i rregullt në Universitetin e Tetovës, në Katedrën e Filologjisë Orientale, ku ka ligjëruar lëndët e gjuhës arabe.
Përveç shumë përkthimeve të realizuara, Dr. Ataullah Aliu është autor i shumë artikujve shkencorë, të botuar gjithandej në periodikun islam, por jo vetëm, si dhe i katër veprave autoriale. Madje, këto ditë sapo ka dalë libri i tij i fundit “Koncepti i Kur’anit për nocionin fitne dhe interpretimet e mufessirëve”.
Duke ushqyer dashuri të veçantë për Librin e Zotit, viteve të fundit gjatë muajit të Ramazanit është angazhuar edhe si këndues i Kuranit (mukabele) në xhaminë e Dyqanxhikut në Shkup, duke iu bashkuar traditës së hafizëve që për çdo ditë e këndonin nga një xhuz para namazit të drekës.
Me vdekjen e tij, SHB “Logos-A” ka humbur një bashkëpunëtor, ideator dhe mik, studentët kanë humbur një profesor të kujdesshëm dhe të ditur, ndërsa xhamitë kanë humbur një hafiz, që edhe përkundër titujve të tjerë, mbeti i dashuruar në titullin “hafiz i Kuranit”.
E lusim Allahun Fuqiplotë që Kur’anin ta bëjë nur të varrit të tij dhe emri i tij u kujtoftë gjithmonë në lutjet studentëve, familjarëve dhe miqve si një njeri që gjithë jetën e kaloi i lidhur për Librin e Zotit.