Kategorite

LOGOS-A, DRITË E SYVE PËR SHQIPTARËT

Kur Logosi filloi me veprimtari botuese, nuk kishte asnjë organizatë tjetër civile a politike shqiptare që merrej me atë punë, andaj ai do të vazhdojë veprimtarinë më bujare dhe humane të mundur, madje edhe pasi të gjitha organizatat partiake të deritanis

Shkruan: Abdylvehap Ejupi

Kur Logosi filloi me veprimtari botuese, nuk kishte asnjë organizatë tjetër civile a politike shqiptare që merrej me atë punë, andaj ai do të vazhdojë veprimtarinë më bujare dhe humane të mundur, madje edhe pasi të gjitha organizatat partiake të deritanishme do të pushojnë së ekzistuari dhe do të fshihen nga historia, si rezultat i të palarave të bëra ndaj popullatës shqiptare.

Logos-A me veprimtarinë e dëshmuar të saj, tashmë është kthyer në mision të shenjtë për shpëtimin e rinisë shqiptare dhe për ndriçimin e mendjes shqiptare, për ngritjen e vetëdijes qytetare dhe për rritjen e nivelit të arsimit te rinia me botimet dhe përkthimet e autorëve më me peshë mbarëshqiptare dhe ndërkombëtare, që e diktojnë rrjedhën e mendimit shkencor dhe e ngrenë, pasurojnë e pastrojnë aspektin shpirtërorë të njeriut, veçanërisht të gjeneratës së re. Këtë mision të shenjtë, në rrethanat e gjendura, shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe ajo në Maqedoni në veçanti, që janë rrethana të kataklizmës, dekadencës dhe shkatërrimit total të arsimit, kulturës dhe çdo vlere tjetër nga ndërhyrja direkte e partive dhe nga pushteti antishqiptar i deritanishëm me partizimin dhe byrokratizimin të çdo poreje të jetës komunitare shqiptare, nuk do të mund ta ndalë asnjë parti e asnjë forcë tjetër, për shkak se bartës të këtij amaneti – me emrin LOGOS-A – është i gjithë populli shqiptarë, si dhe rinia e vetëdijshme shqiptare, e mirarsimuar, e padjallëzuar dhe e armatosur me dijen dhe moralin e duhur, si dhe e gatshme për ta rikthyer procesin e humbur arsimor, moral e politik gjatë këtij çerekshekulli demokraci. Pra, atë që BDI me pushtetin e saj e shkatërroi – të gjitha nivelet e arsimit, që nga çerdhet e deri tek ai post-universitar – me partizimin dhe mendësinë “hudhja/futja”, LOGOSI me veprimtarinë e tij, duke botuar mbi 1000 tituj shqip e duke shpërndarë mbi 100.000 libra falas në gjitha trojet për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, por edhe duke ua dhuruar mijëra të tjera të gjitha institucioneve shtetërore, arsimore e kulturore shqiptare nga çerdhet, arsimi fillor e deri tek ai universitar, ashtu që sot në çdo shtëpi shqiptare – kudo qoftë ajo – me siguri ka të paktën 10 libra, ndërsa çdo student në librarinë e tij i ka minimum nga po aq që, ka nxitur dhe mundësuar gjithnjë zhvillim, shkencë dhe moral.

Personalisht ndjehem i bekuar që jam rritur nën shoqërimin e vazhdueshëm të librave të Logosit dhe jashtë kthetrave të pseudo arsimit të hiperpartizuar të sistemit, që i kanë ndërtuar pikërisht këto garnitura antishqiptare, që sot si hiena, duke shfrytëzuar çdo mekanizëm të shtetit, tentojnë ta njollosin dhe ndalojnë këtë burim të pastër, që sa e sa vite e freskon dhe shuan etjen për dije të rinisë shqiptare. Pra, atë që e dështuan ta bëjnë partitë e deritanishme me pushtetin që patën dhe në mënyrë institucionale, bile duke kontribuar edhe skajshmërisht duke e përkeqësuar arsimin dhe kulturën shqiptare, Logos-A me veprimtaritë e saj shumëdimenzionale shoqërore, në formë private/humanitare, me sukses arriti ta kompletojë këtë mision.

Duke pasur parasysh gjithë këtë beground, këtë masovitet, cilësi dhe mision, sigurisht që qarqeve e mbeturinave monisto-enveriste u pengon një gjë e tillë, andaj ata – duke u nisur nga maksima e famshme e tyre “nënshtro/shkatërro, sundo” – vërsulen për realizimin e devizës në fjalë mbi gjithçka që gjeneron vlerë dhe zhvillim.

Mirëpo kësaj radhe sharra ka zënë në gozhdë! Tashmë rinia e vetëdijesuar, ndër të tjera, nga leximi i librave të LOGOS-it, e ka kuptuar “vizionin” dhe “misionin” e këtij pushteti. Ata, si duket, nuk e kanë marrë mësimin që ua dha populli dhe tashmë me këto akrobacione ndaj vlerës më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë, Logos-A, duket se po e vulosin fundin e tyre. Jo më kot i moçmi ka thënë “Gomari shqelmat më të fort i ka pak para ngordhjes!”.(SHENJA.TV)

Tags:
Developed by ALBART