Rreth nesh

E formuar kah fundi i vitit 1989 me emrin Mehmet Akif Ersoj dhe e themeluar zyrtarisht në tetor të vitit 1990 me emrin aktual, SHB “Logos-A” me të drejtë e konsideron veten pioniere të botimit të pavarur në ish-Jugosllavinë e atëhershme dhe në Maqedoninë e re. Ndonëse në fillim e ngritur me shumë telashe, pas këtyre 20 viteve punë të frytshme, ka arritur të nxjerrë në dritë rreth 500 tituj (mbi 3.000.000 ekzemplarë) të sferave të ndryshme të dijes. Nga këta, mbi 250 tituj janë të përkthyer nga turqishtja, anglishtja, frëngjishtja, boshnjakishtja, serbokroatishtja, arabishtja e maqedonishtja, ndërsa rreth 250 tituj të tjerë janë vepra origjinale. SHB “Logos-A” është e para shtëpi botuese private në hapësirat e ish-Jugosllavisë që arriti nxënësit t’i ofrojë libra dhe lektyra shkollore pa ideologjizma. Përveç këtyre botimeve që tashmë janë bërë të zakonshme, në Logos-A janë realizuar edhe projekte të mëdha botuese: i pari është botimi i tetë titujve universitarë shqip e maqedonisht (gjithsej 16 tituj) të përkthyer nga frëngjishtja që u realizuan gjatë viteve 2004/06; projekti i dytë është botimi i serisë njëzetvëllimëshe të Sami Frashërit, botim ky i pari në kaq vëllime në gjithë hapësirën kulturore shqiptare dhe në gjithë traditën e librave të botuar për cilindo autor te ne, që u botua me rastin e 100-vjetorin e vdekjes së autorit (2004); projekti i tretë i këtij karakteri, që u bë me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së autorit (2006), ishte botimi i kompletit të veprës së Hafiz Ali Korçës në 12 vëllime; në vitin 2008 u botua një komplet dhjetë-vëllimësh i kulturës turke në gjuhën shqipe; në vitin 2009 u botuan edhe dy komplete librash: opusi i plotë 8-vëllimësh i veprave të Imam Vehbi Ismailit dhe gjithë veprimtaria origjinale në 10 vëllime e Nexhat Ibrahimit.  Dhe, në vitin 2010 po ashtu vazhdoi tradita e kompleteve - në gjuhën shqipe erdhi vepra më e madhe mistike, “Mesnevi”, si dhe botimi 3-vëllimësh i historisë turke në Ballkan, “Balkan Türklüğü”, i autorit Jusuf Hamzaoğlu. Në këtë frymë në realizim e sipër është botimi i kompletit të Alija Izetbegoviqit.

Në pjesën e prezantimeve, deri tash 
Logos-A ka organizuar mbi 50 promovime të librave në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Shqipëri dhe rregullisht merr pjesë në panaire nacionale, ballkanike, por edhe ndërkombëtare, siç janë panairet në Stamboll, Frankfurt, Bolonjë, Londër, Gjenevë, Sofje e Kajro, prej ku shumë herë është kthyer me shpërblime e mirënjohje. 
SHB “Logos-A” funksion me disa degë të saj, nga të cilat në vendin tonë janë ato në Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Strugë, ndërsa nga ato që janë jashtë kufijve të shtetit tonë, janë në Prishtinë, Tiranë, Stamboll dhe Dyseldorf. Këshilli Botues dhe Këshilli Redaktues, të formuar qëmoti në Logos-A, e që viteve të fundit u pasuruan me emra të rinj gjithnjë në të mirë të cilësisë, për shkak të numrit të madh të titujve, por edhe për qëllime cilësore, bëri sistematizimin tematik të bibliotekave, ashtu që tash në kuadër të kësaj shtëpie botuese funksionojnë këto biblioteka: Lexo, Divan, Tekste universitare, Tekste shkollore, Filizat, Fjala, Mendimi islam, Elif, Biblioteka e xhepit dhe Botimet e veçanta. 
Gjatë këtyre viteve sa Logos-A i ka kaluar si botues, përveç aktiviteteve botuese, në hapësirën tonë njihet edhe si dhuruesja më e madhe e librit jo vetëm individëve e bibliotekave, por edhe shkollave e fakulteteve. Kjo para së gjithash është brë falë ndihmës dhe bashkëpunimit të Administratës Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA). Logos-A është edhe organizatore e dy tubimeve shkencore: i pari është simpoziumi që u mbajt në shtator të vitit 2000 me titull “Dialog mes qytetërimeve” i organizuar në Shkup dhe, i dyti, është konferenca ndërkombëtare me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit që u organizua në nëntor 2004.
Logos-A ka bashkëpunëtorë e miq gjithandej në trojet shqiptare, ballkanike dhe ndërkombëtare. Po ashtu ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë me shumë institucione qeveritare e joqeveritare të vendit dhe me shumë sosh ndërkombëtare. 
Ndonëse me gjithë këtë bujë të madhe të aktiviteteve botuese, shkencore e kulturore, megjithatë Logos-A konsideron se edhe shumë gjëra presin për t’u bërë, ashtu që elani i saj akoma më shumë forcohet që edhe në të ardhmen t’i shërbejë iluminizmit të njeriut, pa dallim ngjyre, kombi ose religjioni. 
Kryefjala e Logos-A mbetet “Mbi të gjitha vlerat”.
 
Developed by ALBART